Një incident serioz me armë është regjistruar pas mesnatës së 3 tetorit në “Gate Club” në Prishtinë, ku një 20-vjeçar dyshohet se ka nxjerrë armën në drejtim të punëtorëve të sigurimit pasi nuk ishte lejuar të hynte nga hyrja VIP.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 01:10, në lokalin që ndodhet në rrugën “Epiri”, i dyshuari Gjin Kuka kishte tentuar të hynte nga hyrja VIP, me arsyetimin se njihte disa persona që ndodheshin brenda.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pasi sigurimi e kishte ndaluar, Kuka dyshohet se u është drejtuar punëtorëve me fjalët “unë jam Kuka”, ka bërë disa hapa prapa dhe më pas ka nxjerrë nga xhepi një armë të shkurtër të kalibrit 7.65 mm.

Situata ka marrë kthesë në momentin kur ka ndërhyrë J. Xh., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ndodhej pranë punëtorëve të sigurimit. Ai i ka kapur dorën të dyshuarit dhe armën, ndërsa menjëherë kanë ndërhyrë edhe pjesëtarë të tjerë të sigurimit, duke arritur ta vënë situatën nën kontroll dhe ta çarmatosin atë.

Arma më pas është sekuestruar nga Policia, së bashku me pesë fishekë dhe një karikator.

Në cilësinë e të dëmtuarve janë intervistuar L. B. dhe J. Xh, ndërsa një dëshmitar i mitur është intervistuar në prani të prindit.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Gjin Kuka është ndaluar për 48 orë.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.