Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh me raste të shumta policore, nga shpërthimi pranë shtëpisë së avokatit Betim Kadolli në Prizren, te rastet e dhunës në familje, përleshjet, armët dhe vjedhja në një objekt fetar.
Tre persona u ndaluan pas hetimeve për shpërthimin në Prizren, ndërsa në Kamenicë u sekuestrua një pushkë me municion. Në Fushë Kosovë u raportua dhunë në familje, në Lipjan dy të mitur dyshohet se vodhën para dhe një thikë, ndërsa në Gjilan një grua u gjet pa shenja jete në banesën e saj.
Në Prishtinë, një 20-vjeçar u ndalua pas një incidenti me armë në një lokal nate, ndërsa raste të tjera u raportuan në Mitrovicë të Jugut dhe Leposaviq.
Sinjali ju sjell përmbledhjen e ngjarjeve.
Prizren – Identifikohen të dyshuarit për shpërthimin pranë shtëpisë së avokatit
Katër persona janë identifikuar si të dyshuar për shpërthimin e 16 qershorit në rrugën “Brigada 128” në Prizren, ku ishte djegur vetura e avokatit Betim Kadolli dhe ishte dëmtuar edhe një shtëpi.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Detjon Kastratin, Adonis Kastratin, Lenti Zylfiajn dhe Lindona Zylfiajn. Më 2 tetor janë bastisur tri lokacione në rajonin e Kamenicës, ndërsa tre prej të dyshuarve janë ndaluar për 48 orë. Adonis Kastrati ndodhet jashtë shtetit.
Rasti po hetohet për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Mitrovicë e Jugut – Kanoset me vrasje pas konfliktit për një parcelë
Një 32-vjeçar ka raportuar se është kanosur me vrasje pas një mosmarrëveshjeje për një parcelë toke në rrugën “Hoxhë Hasan Tahsini”.
I dyshuari Vedat Muharreni, 65-vjeçar, është shoqëruar dhe intervistuar nga Policia. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për “Kanosja”, ndërsa ai është ndaluar për 48 orë.
Fushë Kosovë – 27-vjeçarja sulmohet dhe kërcënohet me vrasje
Një 27-vjeçare dyshohet se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me vrasje nga bashkëjetuesi i saj në rrugën “Hajrullah Zymi”.
Pas konfliktit verbal, situata dyshohet se ka eskaluar në dhunë fizike, ndërsa gruaja ka marrë trajtim fillimisht në QKMF në Bresje e më pas në QKUK. Sipas deklarimit të saj, i dyshuari e ka kërcënuar: “Ti nuk guxon me ik nga unë se unë të vras”.
Rasti është iniciuar për “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lipjan – Dy të mitur dyshohet se vodhën 50 euro dhe një thikë në kishë
Një vjedhje e rëndë është raportuar në një objekt fetar ortodoks në Lipjan, ku dy të mitur dyshohet se kanë marrë 50 euro dhe një thikë.
Pamjet e kamerave kanë treguar se ata kishin hyrë në objekt më 1 tetor rreth orës 17:00. Për shkak të moshës, identiteti i tyre nuk bëhet publik.
Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet për identifikimin e tyre po vazhdojnë.
Leposaviq – Nga fyerjet te grushti, 23-vjeçari lëndohet në hundë
Një 23-vjeçar është lënduar në fytyrë pas një përleshjeje në zonën Rudnik–Cërrnac të Leposaviqit.
Sipas raportimit, pas fyerjeve të ndërsjella, situata ka eskaluar dhe i dyshuari Miroslav Čuković dyshohet se e ka goditur me dorë në fytyrë.
Čuković është paraqitur vullnetarisht në Polici dhe është intervistuar. Rasti është iniciuar për “Lëndim të lehtë trupor”, ndërsa ai është liruar në procedurë të rregullt.
Kamenicë – Bastisja nxjerr në pah pushkën dhe katër fishekët
Një pushkë M48 dhe katër fishekë janë sekuestruar gjatë një bastisjeje në fshatin Hogosht të Kamenicës.
Arma është gjetur në pronën e Misim Kastratit, 45-vjeçar, ndërsa pas intervistimit rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kastrati është liruar në procedurë të rregullt.
Fushë Kosovë – Pas afro një muaji në arrati, paraqitet i dyshuari për dhunë në familje
Një person i dyshuar për dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tyre të mitur është paraqitur në Polici pas afro një muaji.
B.H. ishte në kërkim që nga rasti i raportuar më 3 shtator. Më 2 tetor ai është paraqitur në stacion policor së bashku me avokatin e tij.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë. Rasti po hetohet si “Dhunë në familje”.
Gjilan – Gruaja gjendet pa shenja jete në banesën ku jetonte e vetme
Një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në kompleksin “Albanika”, pasi banorët kishin vërejtur një erë të rëndë nga apartamenti.
Policia dhe zjarrfikësit kanë hapur derën e banesës, ku është gjetur Elfete Dermaku. Ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen, ndërsa dyshohet se ajo kishte ndërruar jetë disa ditë më herët.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi është dërguar në IML për obduksion.
Prishtinë – Ndalet për shkak të një urdhërese për 20 ditë burgim
Një person nga Fushë Kosova është ndaluar në Prishtinë pasi ndaj tij kishte një urdhëresë aktive gjyqësore.
D.M. ishte dënuar me 20 ditë burgim për veprën penale “Dhunë në familje”. Pas ndalimit në Stacionin Policor Qendra, ai është dërguar për vuajtjen e dënimit.
Prishtinë – Nxori armën pasi nuk u lejua të hynte nga VIP-i
Një 20-vjeçar dyshohet se ka nxjerrë armën në drejtim të sigurimit në “Gate Club” në Prishtinë, pasi nuk ishte lejuar të hynte nga hyrja VIP.
Sipas burimeve të Sinjalit, Gjin Kuka dyshohet se ka nxjerrë një armë të kalibrit 7.65 mm, por është çarmatosur nga sigurimi. Policia ka sekuestruar armën, karikatorin dhe pesë fishekë.
Kuka është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Nata në Kosovë
Shpërthim. Dhunë. Përleshje. Armë. Vjedhje. Arrestime.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.