Një rast i pazakontë i posedimit të paautorizuar të armëve është regjistruar në Shtime, ku një burrë është paraqitur vetë në Polici dhe ka deklaruar se prej vitit 1999 posedonte dy armë zjarri.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 23:20 të 30 shtatorit, në Stacionin Policor në Shtime është paraqitur Reshat Bajrami, 57-vjeçar, i cili ka deklaruar se dy armët ndodheshin në shtëpinë e vëllait të tij, objekt që më herët kishte qenë shtëpi e përbashkët familjare.
Pas deklarimit të tij, njësitë policore dhe hetuesit kanë shkuar në lokacionin e treguar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në çatinë e shtëpisë janë gjetur një AK-47, kalibër 7.62 mm, me dy karikatorë të zbrazët, si dhe një pistoletë, kalibër 9 mm, me një karikator të zbrazët.
Të dy armët janë sekuestruar përkohësisht si prova materiale.
Rasti është interesant edhe për faktin se vetë i dyshuari ka deklaruar se armët i kishte në posedim që nga viti 1999, pra prej më shumë se dy dekadash.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet për origjinën e armëve, mënyrën e posedimit dhe rrethanat se si kishin përfunduar në çatinë e shtëpisë po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.