Sinjali ka mësuar identitetin e tre personave të ndaluar pas përleshjes së mbrëmshme në rrugën “Shemsi Mramori” në Prishtinë, ku njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Dardan Rrustemin, Fidan Rrustemin dhe Andi Xhelën.

Rasti ka ndodhur më 30 shtator, rreth orës 22:00, kur Policia është njoftuar për një rrahje në zhvillim.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas një mosmarrëveshjeje mes palëve, situata ka eskaluar në përleshje fizike, ku dyshohet se janë përdorur edhe mjete të forta.

Si pasojë e përleshjes, Andi Xhela, 19-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë frakturë në dorën e majtë.

Ai është dërguar për trajtim në QKUK dhe më pas është liruar për shërim të mëtejmë në shtëpi.

Të tre të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa është intervistuar edhe një dëshmitar lidhur me rrethanat e rastit.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Sulm”, ndërsa të tre janë ndaluar për 48 orë.

Hetimet për të sqaruar rolin e secilit prej tyre në përleshje po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.