Një veturë e vjedhur në Prishtinë është gjetur katër ditë më vonë në Arllat, krejt rastësisht, pasi drejtuesi i saj kishte bërë një kundërvajtje në trafik. Policia i kishte dhënë shenjë të ndalej, por ai nuk e kishte përfillur urdhrin. Pas ndjekjes, shoferi e kishte braktisur veturën pranë një nënkalimi dhe ishte larguar, ndërsa verifikimi ka zbuluar se automjeti kërkohej për vjedhje.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për një Volkswagen Caddy të bardhë, në pronësi të D.T (29), i cili e kishte raportuar të vjedhur më 27 tetor, në rrugën “Azem Shkreli” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, veturën e kishte parkuar babai i pronarit, përballë furrës “Dashamiri”.
Kur Tejeci kishte dalë jashtë rreth orës 03:00, vetura nuk ishte më aty. Ai kishte kontrolluar sërish rreth orës 06:00 dhe më pas kishte kërkuar në parking, por pa rezultat.
Fillimisht kishte kontaktuar familjarët për të mësuar nëse ndonjëri prej tyre e kishte marrë automjetin. Pasi kishte marrë përgjigje negative, rastin e kishte denoncuar në Polici.
Një hollësi e rëndësishme ishte se çelësat kishin mbetur brenda veturës, pasi automjeti përdorej për nevojat e biznesit familjar.
Vlera e tij, sipas pronarit, ishte rreth 4 mijë euro.
Kundërvajtja në trafik që çoi te vetura e vjedhur
Katër ditë më vonë, më 31 tetor, rreth orës 08:50, një patrullë policore në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë ka vërejtur një Volkswagen Caddy që kishte kryer kundërvajtje në trafik.
Policët i kanë dhënë shenjë drejtuesit të ndalej, por ai nuk e ka respektuar sinjalizimin dhe ka vazhduar lëvizjen.
Patrulla i është vënë pas, derisa drejtuesi e ka ndalur veturën te nënkalimi pranë urës në Arllat dhe është larguar nga vendngjarja.
Pas verifikimit të automjetit, policët kanë konstatuar se bëhej fjalë për Caddyn e raportuar të vjedhur në Prishtinë.
Vetura është dërguar në Stacionin Policor Jugu, ku i është nënshtruar ekzaminimit përkatës dhe më pas i është kthyer pronarit.
Personi që po e drejtonte automjetin nuk është identifikuar në informacionet e deritanishme, ndërsa mbetet të sqarohet nëse ai është edhe personi që e kishte vjedhur veturën.
Rasti vazhdon të trajtohet si “Vjedhje”.