Pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjete sociale të një video-incizimi nga një portal informativ, në të cilin ishte paraqitur një veprim i rrezikshëm me automjet, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Malishevë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e automjetit dhe ngasësit.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas veprimeve policore, është arritur të identifikohet automjeti dhe ngasësi, i cili, sipas pamjeve të video-incizimit, më datë 27.08.2026, rreth orës 21:50, në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, kishte vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor, duke bërë rritje të vrullshme të shpejtësisë, përkatësisht nisje nga vendi në atë mënyrë që kishte shkaktuar rrëshqitje dhe rrotullim të rrotave në vend, duke shkaktuar zhurmë të panevojshme.

Ndaj ngasësit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, është shqiptuar gjobë në vlerë prej 150 euro, si dhe një pikë negative.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë do të vazhdojë të ndërmarrë veprime ligjore ndaj të gjithë pjesëmarrësve në trafik të cilët, përmes veprimeve të tilla, rrezikojnë sigurinë në komunikacion.