Koloneli amerikan Jabari Miller, i cili ka marrë drejtimin e Komandës Rajonale-Lindje të misionit të KFOR-it, ka deklaruar se ushtarët amerikanë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me aleatët dhe partnerët e NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Ushtarët tanë janë në formë të mirë fizike, të motivuar, të disiplinuar, të trajnuar dhe të gatshëm të punojnë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë të NATO-s për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë”, ka deklaruar Miller për revistën ushtarake “Stripes”.

Deklarata e Millerit vjen pas marrjes së komandës së Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it nga ushtarët amerikanë të Regjimentit të Dytë të Kalorësisë dhe njësive mbështetëse të Divizionit të Parë të Këmbësorisë, me seli në Gjermani.

Sipas një njoftimi të Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën, ceremonia e ndërrimit të komandës u mbajt të hënën në kampin Bondsteel, në Kosovë.

Trupat amerikane në detyrë aktive e morën komandën nga Brigada e 53-të e Këmbësorisë e Gardës Kombëtare të Floridës. Ky ndryshim shënon rikthimin e ushtarëve amerikanë në detyrë aktive në udhëheqjen e kësaj komande, për herë të parë që nga shtatori i vitit 2014.

Ndërkaq, zëdhënësi i komandës, rreshteri i shtabit Hunter Tate, ka bërë të ditur se vendimi për ndryshimin e udhëheqjes është marrë për shkak të “disponueshmërisë aktuale të forcave dhe nevojave të misionit”.