Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me suspendimin e pesë zyrtarëve policorë në Prishtinë dhe Gjilan, duke bërë të ditur se ka bashkëpunuar me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) në trajtimin e të dy rasteve.

Tre policë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë dyshohen për ngacmim dhe kontroll të kundërligjshëm, ndërsa dy të tjerë në Gjilan për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Siç mësoi Sinjali, për rastin në Prishtinë, bëhet fjalë për suspendimin e Besart Manit, Erion Rexhepit dhe Agon Ramadanit.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se, pas pranimit dhe trajtimit të informacioneve, janë njoftuar zyrtarët kompetentë të IPK-së, me të cilët është bashkëpunuar për sigurimin dhe dokumentimin e provave relevante.

“Policia e Kosovës, menjëherë pas pranimit dhe trajtimit të informacioneve, ka njoftuar zyrtarët kompetentë të Inspektoratit Policor të Kosovës, me të cilët janë koordinuar për sigurimin dhe dokumentimin e të gjitha provave relevante lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.

Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Prishtinë, rekomandim që është zbatuar nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës.

“Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, të cilët menaxhmenti i Policisë së Kosovës i ka suspenduar”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, dy zyrtarët policorë në Gjilan janë suspenduar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Hetimet për të dy rastet po vazhdojnë në koordinim me organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.