Një incident i pazakontë është regjistruar të mërkurën në Gazivodë të Zubin Potokut, ku një kamion që po qarkullonte me rimorkion – kiperin – të ngritur ka goditur rrjetin elektrik, duke shkaktuar dëme dhe zjarr në një transformator, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se shoferi i kamionit është Blerim Makica, rreth 47-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur më 26 gusht, rreth orës 11:45, derisa Makica po transportonte mbeturina në zonën përreth Liqenit të Ujmanit.
Sipas informacioneve të rastit, gjatë kthimit nga deponia në fshatin Lluçka Rekë, kamioni po lëvizte me kiperin e ngritur, i cili ka kapur telat e rrjetit elektrik.
Goditja ka shkaktuar dëmtimin e disa shtyllave të energjisë elektrike, ndërsa incidenti ka prekur edhe transformatorin që ndodhej rreth 50 metra larg.
Pas goditjes së telave, trafoja ka marrë flakë.
Situata është vënë nën kontroll falë disa personave që ndodheshin aty pranë dhe kanë ndërhyrë duke arritur ta shuajnë zjarrin.
Në vendngjarje kanë dalë më pas edhe zjarrfikësit dhe një ekip i Elektroseverit, i cili ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ka nisur vlerësimin e dëmeve.
Vlera e dëmit nuk është përcaktuar ende dhe pritet raporti i ekspertëve të Elektroseverit.
Në lokacion kanë intervenuar edhe njësitë relevante të Policisë, të cilat kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes.
Shoferi është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me incidentin. Pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Asgjësim, dëmtim ose heqje të instalimeve publike” dhe procedurat po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.