Incidenti në parkingun e një qendre tregtare në Prishtinë, ku u përfshi komandanti i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, tashmë është në duart e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore ka konfirmuar për Telegrafin se ka iniciuar rast ndaj tre personave të dyshuar, përfshirë Ahmetin, i cili dyshohet për veprën penale “Kanosja”.

“Personi me inicialet B.A., dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosja’ nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Përveç Ahmetit, Prokuroria ka bërë të ditur se personi me inicialet E.M. dyshohet për “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ndërsa A.A. dyshohet për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 i KPRK-së.

Pas incidentit ku u përfshi komandanti i Njësive Speciale, IPK nis hetime dhe suspendon një polic

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit po ndërmerr veprimet dhe masat e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave.

Pas incidentit, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka nisur hetime dhe ka suspenduar një zyrtar policor, nën dyshimet për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.

IPK-ja ka njoftuar se përplasja dyshohet se kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje për parkingun. Personat e përfshirë ishin shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë, ku më pas njëri prej qytetarëve kishte pretenduar se ndaj tij ishte përdorur forcë nga një zyrtar policor.

IPK-ja ka nisur hetime për pretendimet për tejkalim të autorizimeve policore dhe, me rekomandim të saj, zyrtari i dyshuar është suspenduar.

Ndërkohë, hetime po zhvillohen edhe ndaj qytetarëve të përfshirë në drejtim të veprës penale “Sulmi”, në koordinim me prokurorin kompetent.