Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas IPK-së, duke u bazuar në të dhënave fillestare të hetimit, më 15 tetor 2026, rreth orës 23:00, në Gjilan, zyrtarët policorë dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur atë në veturën zyrtare. Gjatë këtij veprimi, pretendohet se ndaj qytetarit është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia, përfshirë marrjen e telefonit të tij pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Në njoftim thuhet se dyshimet fillestare sugjerojnë se veprimet e pretenduara mund të kenë ndërlidhje me një ankesë të parashtruar nga i njëjti qytetar në korrik të vitit 2026. Ankesa e mëhershme ishte bërë ndaj zyrtarëve policorë në fjalë, nën dyshimin për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa suspendimi i dy zyrtarëve policorë është rekomanduar nga Inspektorati Policor i Kosovës.