Një përballje kërcënuese në një kafiteri në Prizren ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, sekuestrimin e një arme zjarri dhe ndalimin e një 36-vjeçari, i cili dyshohet se është prezantuar si zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ndërsa ka kanosur një person që ndodhej në lokal.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Mërgim Gashin, rreth 36-vjeç i cili dyshohet se më 27 tetor, rreth orës 23:50, ka shkuar në një kafiteri në rrugën “Vesli Klark”, ku po qëndronte A.K. rreth 35-vjeç.

Dy personat kishin një mosmarrëveshje, por ajo që dyshohet të ketë ndodhur gjatë përballjes ka marrë përmasa shumë më serioze.

Gashi dyshohet se është prezantuar si zyrtar i AKI-së, ndërsa në brez mbante një armë zjarri, të cilën e kishte ekspozuar gjatë komunikimit me K..

Sikur kjo të mos mjaftonte, sipas denoncimit, gjatë përballjes ai e kishte kanosur K., duke përfshirë në kërcënime edhe familjen e tij.

Për incidentin është alarmuar Policia, e cila ka ndërhyrë dhe ka nisur veprimet hetimore.

I dyshuari fillimisht nuk është gjetur nga njësitë policore, por më vonë, pasi është kontaktuar përmes telefonit, është paraqitur në stacion për intervistim.

Një dëshmitar i rëndësishëm i incidentit është edhe pronari i kafiterisë, i cili ka qenë i pranishëm gjatë përballjes dhe është intervistuar nga hetuesit.

Zhvillimet nuk kanë përfunduar me marrjen e deklaratave.

Me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e Gashit, ku ka sekuestruar një pistoletë të prodhimit turk, dy karikatorë dhe 28 fishekë.

Burimet e Sinjalit konfirmojnë se për armën ekzistonte leje posedimi, por kjo nuk e ka penguar sekuestrimin e saj në kuadër të hetimit për incidentin.

Pas përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të Prokurorisë, Mërgim Gashi është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për veprat penale “Kanosje” dhe “Prezantim i rremë”.

Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit dhe pretendimin se i dyshuari kishte përdorur emrin e AKI-së gjatë përballjes në lokal.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.