Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendësadjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Charles H. Lampe, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave.
Gjatë takimit, Jashari e uroi Lampe për marrjen e detyrës së re, ndërsa u diskutua për bashkëpunimin në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program) dhe mundësitë për avancimin e mëtejmë të tij.
Sipas njoftimit të FSK-së, palët diskutuan për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.
Jashari vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës në zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti për forcimin e kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë me partnerët amerikanë.
Ai e cilësoi partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Ajovës si shembull të bashkëpunimit afatgjatë, besimit të ndërsjellë dhe përkushtimit të përbashkët.