Një person i dyshuar për grabitje në tentativë në një barnatore në Pejë është arrestuar pas hetimeve të zhvilluara nga Policia e Kosovës.
Rasti kishte ndodhur më 12 tetor, rreth orës 19:10, në një barnatore në rrugën “Bekim Berisha – Abeja”, ku i dyshuari, i armatosur me thikë, kishte hyrë me qëllim që të kryente grabitje.
Megjithatë, pasi kishte vërejtur se brenda barnatores ndodheshin disa persona, ai ishte larguar në drejtim të panjohur pa ndërmarrë veprime të tjera.
Policia ishte njoftuar për rastin rreth orës 19:15, ndërsa njësitet përkatëse kishin dalë në vendin e ngjarjes. Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti ishte iniciuar si “Grabitje në tentativë”.
Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Sektori Rajonal i Hetimeve, policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin me inicialet K. Z., i cili është arrestuar më 21 tetor në Pejë.
Me vendim të organeve kompetente, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.