Hetimet për sulmin ndaj Driton Nuhës, i cili ishte lënduar mbrëmjen e 21 shtatorit në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, kanë çuar në identifikimin dhe ndalimin e një personi të dyshuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Hazir Llabjanin, 37-vjeçar, i cili është siguruar nga hetuesit gjatë vazhdimit të veprimeve hetimore më 22 shtator.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit kanë dalë sërish në vendin e ngjarjes, ku kanë siguruar video-incizimet nga kamerat e sigurisë. Pas analizimit të materialeve, është siguruar edhe prezenca e të dyshuarit.
Llabjani është intervistuar me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ka pranuar të deklarohet dhe ka dhënë versionin e tij lidhur me rrethanat e rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit ai është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në kuadër të Stacionit Policor të Ferizajt.
Rasti po trajtohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.