Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë parandaluar një rast të tentimit për futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Kosovës përmes Pikës së Kalimit Kufitar në Merdare.
Rasti është zbuluar më 3 tetor 2026, gjatë kontrolleve në hyrje të pikës kufitare, ku zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë përdorur pajisje dhe mjete të specializuara kontrolli.
Gjatë kontrollit janë identifikuar dhe sekuestruar mallra të reja elektronike, përfshirë ftohës për procesorë, pllaka amë, kufje, USB, mausa, mikrofona, kabllo dhe pesë sete monitorësh gaming ALIENWARE.
Sipas Doganës së Kosovës, në total janë sekuestruar dhjetëra pajisje dhe produkte të ndryshme, ndërsa vlera e përafërt e mallrave arrin në rreth 10 mijë euro.
Dogana ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e kontrabandës, evazionit dhe shkeljeve të tjera doganore, duke vlerësuar bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante.