Një rast i rëndë i dhunës është raportuar pasditen e 29 shtatorit në shkollën “Shtefan Gjeqovi” në Prishtinë, ku një vajzë e mitur është sulmuar fizikisht nga disa persona të gjinisë femërore dhe më pas është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 16:00, Policia është njoftuar për incidentin në rrugën “Bekim Fehmiu”, ndërsa njësitë policore kanë nisur menjëherë veprimet për identifikimin e personave të përfshirë.
Viktima është një e mitur, identitetin e së cilës Sinjali nuk e publikon për shkak të moshës dhe natyrës së rastit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, vajza ka pësuar lëndime dhe është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Në kuadër të hetimeve janë identifikuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarave S. G., K. G., L.G. dhe T.G..
Të katërta janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, e mitura nuk ka mundur të intervistohet menjëherë nga hetuesit, ndërsa veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes kanë vazhduar.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa ndaj të katër të dyshuarave është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetuesit po vazhdojnë punën për të sqaruar motivin e konfliktit, mënyrën se si ka nisur incidenti dhe rolin e secilës prej personave të përfshirë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.