Një grabitje e rëndë është raportuar në Prishtinë, ku një shtetase britanike ka deklaruar se është sulmuar brenda banesës së saj nga katër persona të maskuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 16 shtator, rreth orës 02:30, në rrugën “Malush Kosova”, ndërsa viktima është D. Sh, 33-vjeçare.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, një person i panjohur fillimisht ka trokitur në derën e banesës. Pasi viktima e ka hapur derën, ai ka hyrë brenda, ndërsa pas tij janë futur edhe tre persona të tjerë.
Viktima ka deklaruar se njëri prej të dyshuarve e ka shtrënguar rreth qafës dhe e ka goditur në pjesën abdominale, ndërsa personat e tjerë i kanë kërkuar para.
Nga frika, ajo dyshohet se u ka dorëzuar 500 euro, një telefon Samsung dhe çelësat e banesës.
Sheqiri më pas ka arritur të largohet nga të dyshuarit dhe të kërkojë ndihmë te fqinjët.
Hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, pas konsultimit me Prokurorin, fillimisht janë ndërmarrë veprime për sigurimin e video-incizimeve.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 23 shtator, pas analizimit të pamjeve të kamerave, janë vërejtur katër persona të maskuar duke hyrë dhe dalë nga banesa.
Pas këtyre zhvillimeve dhe konsultimit me Prokurorin e Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar për veprën penale “Grabitja”.
Hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e katër personave të dyshuar po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.