Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu në mes të natës në një pronë në Prishtinë, duke përfshirë tri vetura dhe një pjesë të shtëpisë, po hetohet në rrethana që familja i konsideron të dyshimta. Dëmi i raportuar arrin në rreth 100 mijë euro, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se pronarët janë Nexhat Qehaja dhe djali i tij, Genc Qehaja, të cilët ndodheshin brenda shtëpisë kur nisi gjithçka.

Ngjarja ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës 01:10, në rrugën “Selman Lokaj” në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, babë e bir kanë deklaruar se po qëndronin brenda shtëpisë kur papritur dëgjuan një zhurmë të fortë nga jashtë.

Kur dolën në oborr, pamja që panë ngriti menjëherë dyshimet e tyre.

Dy prej veturave kishin marrë flakë në pjesën e poshtme, ndërsa zjarri më pas u përhap edhe në automjetin e tretë dhe në një pjesë të shtëpisë.

Familjarët dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht dhe se ndaj pronës së tyre mund të jetë hedhur një mjet i tipit “Molotov”.

Megjithatë, ky mbetet pretendim i tyre dhe ende nuk është konfirmuar nga ekspertiza.

Në vendngjarje kanë intervenuar zjarrfikësit, të cilët kanë arritur t’i shuajnë flakët, ndërsa është angazhuar edhe KEDS-i për ndërprerjen e energjisë elektrike në zonë.

Fatmirësisht, askush nuk është lënduar.

Dëmet materiale, megjithatë, janë të konsiderueshme. Sipas deklarimeve të familjes, tri veturat dhe dëmet e shkaktuara në shtëpi kapin vlerën e rreth 100 mijë eurove.

Një element tjetër që e bën rastin edhe më misterioz është se Nexhat dhe Genc Qehaja kanë deklaruar para Policisë se nuk kanë probleme me askënd, ndonëse dyshojnë se dikush mund t’ua ketë vënë zjarrin qëllimisht.

Në rast janë përfshirë hetuesit rajonalë, ndërsa eksperti i zjarrit pritet të ekzaminojë vendin e ngjarjes për të përcaktuar origjinën dhe shkakun e zjarrit.

Për ngjarjen është njoftuar edhe Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti fillimisht të trajtohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Deri në këtë fazë nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar, ndërsa hetimet pritet të zbardhin nëse familja Qehaja ishte shënjestër e një zjarrvënieje të qëllimshme apo zjarri kishte një shkak tjetër.