Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Livoq të Gjilanit, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe njërin prej vëllezërve të saj, ndërsa vëllai tjetër i gruas ka mbetur i plagosur.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të shtënat kanë ndodhur në rrethana që ende po hetohen, ndërsa viktimat dyshohet se ndodheshin në një veturë në momentin kur është shtënë me armë.
Sipas informacioneve fillestare që ka siguruar Sinjali, gruaja dhe njëri prej vëllezërve të saj kanë mbetur të vdekur, ndërsa vëllai tjetër është plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësi të shumta policore dhe hetuesit, ndërsa për shkak të peshës së rastit aty kanë dalë edhe dy prokurorë të shtetit.
Dyshimet e para lidhen me një ngatërresë të mëhershme, mirëpo motivi i saktë dhe rrethanat që çuan deri te krimi ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Në vendngjarje po kryhet këqyrja dhe po mblidhen provat materiale që pritet të ndihmojnë në rindërtimin e dinamikës së vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes.
Hetimet intensive për rastin po vazhdojnë.