Një stallë e kafshëve është përfshirë nga zjarri mbrëmjen e së premtes në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku si pasojë kanë ngordhur një lopë dhe dy dele, ndërsa dëmet materiale vlerësohen në rreth 30 mijë euro.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas informacioneve, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku zjarrfikësit tashmë e kishin lokalizuar dhe shuar zjarrin.

Përveç ngordhjes së kafshëve, zjarri ka shkaktuar edhe dëme të tjera materiale në stallë.

“Si pasojë e zjarrit, është përfshirë nga flakët një stallë e kafshëve, me ç’rast kanë ngordhur një lopë dhe dy dele, si dhe janë shkaktuar dëme të tjera materiale. Sipas deklarimit të viktimës, vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 30.000 euro. Policia, në bashkëpunim me ekspertët e zjarrit, është duke punuar në përcaktimin e shkakut dhe rrethanave të këtij incidenti.”, tha ai për Sinjalin.

Pamje: