Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht identitetin e dy personave që dyshohet se sulmuan fizikisht një shofer të kompanisë “Barileva Trade” në stacionin e autobusëve në Obiliq, pas një mosmarrëveshjeje që dyshohet se lidhej me konkurrencën për udhëtarë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Avni Tërhollin, rreth 29-vjeçar dhe Bislim Thaqin, rreth 32-vjeçar, të cilët janë arrestuar nga Policia pas denoncimit të rastit.

Sinjali mëson se personi që raportoi sulmin është F.S, rreth 42-vjeçar, shofer i kompanisë “Barileva Trade”, i cili në momentin e incidentit nuk ishte në detyrë.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 4 nëntor, rreth orës 08:30, në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq.

Sipas informacioneve fillestare, përplasja dyshohet se ka nisur për shkak të marrjes së udhëtarëve dhe ndërhyrjes në oraret e linjave të autobusëve. Shoferë të kompanisë “Kastrioti” dyshohet se kishin marrë udhëtarë që pritej të udhëtonin me autobusët e “Barileva Trade”.

Pas arrestimit, Tërholli dhe Thaqi janë intervistuar nga organet e rendit, ndërsa me vendim të Prokurorisë së Shtetit janë ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.