19 persona përfundojnë në ndalim për 48 orë, tre të tjerë lirohen – ky është rezultati i megaaksionit policor kundër bixhozit ilegal në Prizren, Suharekë dhe Dragash. Gazeta Sinjali, e cila raportoi ekskluzivisht për operacionin që nga nisja e tij, kishte zbuluar edhe emrat e të 22 personave të përfshirë në këtë rast, ndërsa tash Prokuroria dhe Policia kanë zbardhur përmasat e aksionit: 20 lokacione të bastisura, rreth 10 mijë euro të sekuestruara, katër armë zjarri dhe municion.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë publikuar detajet e operacionit të zhvilluar mbrëmjen e 4 nëntorit, pas një hetimi të gjatë që përfshiu edhe masa dhe veprime të veçanta hetimore.
Në kuadër të planit operativ “Bixhozi”, hetuesit kanë kontrolluar 20 lokacione, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi banimi në Prizren, Suharekë dhe Dragash.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 10 mijë euro para të gatshme, pajisje elektronike, katër armë zjarri dhe municion, të cilat mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
19 të dyshuar ndalohen, tre lirohen
Pas arrestimit të 22 personave dhe intervistimit të tyre në prani të avokatëve mbrojtës, Prokuroria ka marrë vendim që 19 prej tyre të ndalohen për 48 orë, ndërsa tre të tjerët të lirohen në procedurë të rregullt.
Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294, paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për megaaksionin që në momentet e para të zhvillimit të tij, duke siguruar dhe publikuar identitetet e të gjithë 22 personave të përfshirë në operacion: Kreshnik Bylykbashi, Engjëll Bytyqi, Nolian Danqeli, Sadri Shala, Valmir Gashi, Mefail Kuqi, Albion Jupaj, Muharrem Krasniqi, Ruzhdi Jasharaj, Dior Shala, Avdyl Bajselmani, Agim Bytyqi, Besmir Krasniqi, Sali Zhuri, Durim Gashi, Misret Shala, Jetmir Bajselmani, Sami Krasniqi, Bali Hjadari, Sabit Shala, Kadri Bylykbashi dhe Besart Krasniqi.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.