Raportimi ekskluziv i Gazetës Sinjali për aksionin policor kundër kontrabandës së dyshuar me barna dhe produkte të tjera në Prizren është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në këtë qytet.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti, në një përgjigje për Gazetën Sinjali, ka konfirmuar se operacioni është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë.

“Ju njoftojmë se aksioni është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren. Për informata të tjera do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Mehmeti.

Siç raportoi më herët Sinjali, aksioni po zhvillohet në dy lokacione në Prizren, ku hetuesit e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me inspektorët, po kryejnë kontrolle në kuadër të hetimeve për qarkullimin e dyshuar të barnave dhe produkteve të tjera të kontrabanduara.