Pesë zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës kanë përfunduar në prangat e Policisë nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në kuadër të hetimeve për një pronë prej rreth dy hektarësh në Sllatinë, e cila dyshohet se u tentua të tjetërsohej përmes dokumentacionit të rremë dhe të shitej për 1 milion e 550 mijë euro, mëson ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Gëzim Zogjani, drejtor në Komunën e Fushë Kosovës, Adelina Gashi, shefe e Gjeodezisë, Liridona Mustafa, zyrtare ligjore, Driton Gojnovci, zyrtar në Zyrën e Pritjes dhe Enver Asllani, referent në Zyrën e Kadastrit.
Hetimet e zhvilluara nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë kanë ngritur dyshime se pesë zyrtarët, duke shfrytëzuar autoritetin që buronte nga pozitat e tyre, u kanë mundësuar dy personave të nacionalitetit serb të pajisen me fletë poseduese dhe kopje të planit për parcelën, duke përdorur dokumentacion të dyshuar si të rremë dhe duke aplikuar pa dokumentet e nevojshme.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, prona ndodhet në Sllatinë të Fushë Kosovës dhe ka sipërfaqe prej rreth dy hektarësh.
Dyshohet se, pasi janë pajisur me dokumentacionin përkatës, personat e përfshirë kanë tentuar ta tjetërsojnë dhe shesin pronën përmes një noterie, duke u paraqitur blerësve potencialë dokumentacionin si të rregullt. Vlera e transaksionit të planifikuar dyshohet të ketë qenë 1.550.000 euro.
Hetuesit dyshojnë se roli i zyrtarëve komunalë nuk është kufizuar vetëm te pajisja me dokumentacion. Sipas provave dhe informacioneve të siguruara gjatë hetimit, ata dyshohet se janë angazhuar edhe për t’ua lehtësuar procedurat personave të përfshirë, përfshirë sigurimin e terminit te noterja dhe shërbime të tjera që lidheshin me realizimin e shitjes.
Policia, në koordinim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë brenda Komunës së Fushë Kosovës, krahas deklaratave të personave të përfshirë dhe provave të tjera të siguruara gjatë hetimeve.
Dyshimet e hetuesve janë se përmes kësaj skeme është tentuar të shitet, në emër të pronarit të vërtetë, prona e viktimës dhe njëkohësisht të mashtrohen blerësit për shumën prej 1 milion e 550 mijë eurosh.
Pesë zyrtarët komunalë janë intervistuar sot në cilësinë e të dyshuarve, në prani të avokatëve mbrojtës.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e rastit, ndaj Gëzim Zogjanit, Adelina Gashit, Liridona Mustafës, Driton Gojnovcit dhe Enver Asllanit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Bashkëkryerja”.
Rasti është pjesë e një hetimi më të gjerë. Sipas informacioneve të Sinjalit, deri më tani janë arrestuar dhe ndaluar gjithsej 10 persona, prej të cilëve pesë ndodhen në paraburgim, ndërsa pesë të arrestuarit e fundit janë dërguar në mbajtje.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.