Gazeta Sinjali ka mësuar identitetin e personave të dyshuar për përleshjen e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit prapa lokalit “Gizzi Grill” në Veternik, ku u përdorën armë zjarri dhe mjete të mprehta, ndërsa tre persona mbetën të lënduar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në dosjen e rastit figurojnë Pjetër Ukaj, Gjergj Gojani, Albert Canolli, Gentian Osmani, Rinor Krasniqi dhe Arlind Rushiti.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Arlind Rushiti është plagosur me armë zjarri në të dy këmbët, Gentian Osmani ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë në kokë dhe këmbë, ndërsa Rinor Krasniqi është lënduar në krahun e majtë.
Të tre janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa dy prej tyre vazhdojnë trajtimin në Klinikën e Ortopedisë.
Pas incidentit, Pjetër Ukaj dhe Gjergj Gojani janë ndaluar nga njësitë policore në Lipjan, derisa po largoheshin në drejtim të Ferizajt.
Gjatë kontrollit, atyre u janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë TT dhe një thikë, ndërsa është sekuestruar edhe BMW-ja e zezë me të cilën po udhëtonin.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja, dy fishekë, dy predha të dëmtuara, një thikë dhe një çelës metalik.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar në identifikimin e personave të përfshirë, ndërsa tre të dyshuar të tjerë mbeten ende në arrati.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Pjetër Ukaj, Gjergj Gojani, Gentian Osmani dhe Albert Canolli në Qendrën e Mbajtjes në Skenderaj, të gjithë për 48 orë.
Rasti po hetohet për “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, “Sulm” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rolit individual të secilit prej personave të përfshirë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.