Një përleshje e rëndë ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit në Veternik të Prishtinës, ku janë përdorur armë zjarri dhe thika, ndërsa tre persona kanë mbetur të lënduar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 04:40 është raportuar për të shtëna dhe një person të plagosur prapa lokalit “Gizzi Grill”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas përleshjes mes disa personave dyshohet se janë përdorur armë zjarri dhe mjete të mprehta, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK.
Arlind Rushiti, 21-vjeçar, është plagosur me armë zjarri në të dy këmbët.
Gentian Osmani, 19-vjeçar, ka pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë në kokë dhe këmbë, ndërsa Rinor Krasniqi, 20-vjeçar, është lënduar në krahun e majtë.
Të tre janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa dy prej tyre vazhdojnë trajtimin në Klinikën e Ortopedisë.
Ndërkohë, Pjetër Ukaj, 23-vjeçar, dhe Gjergj Gojani, 25-vjeçar, janë ndaluar nga njësitë policore në Lipjan derisa po largoheshin në drejtim të Ferizajt.
Gjatë kontrollit, atyre u janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë TT dhe një thikë, ndërsa është sekuestruar edhe vetura BMW, ngjyrë e zezë, me të cilën po udhëtonin.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja, dy fishekë, dy predha të dëmtuara, një thikë dhe një çelës metalik.
Burimet bëjnë me dije se përmes kamerave të sigurisë është konstatuar përfshirja e disa personave në përleshje, ndërsa tre prej të dyshuarve mbeten ende në arrati.
Në dosjen e rastit figurojnë si të dyshuar Pjetër Ukaj, Gjergj Gojani, Albert Canolli, Gentian Osmani, Rinor Krasniqi dhe Arlind Rushiti.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Pjetër Ukaj, Gjergj Gojani, Gentian Osmani dhe Albert Canolli në Qendrën e Mbajtjes në Skenderaj, të gjithë për 48 orë.
Rasti është iniciuar për “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, “Sulm” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.