Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për aksionin kundër fajdesë që është zhvilluar sot në Prizren, ndërsa tani merr vesh edhe identitetin e tre të dyshuarve të arrestuar.
Sinjali mëson se të arrestuarit janë Fadil Selimi, Beqir Selimi dhe Arsim Dogani.
Tre të dyshuarit janë arrestuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar pas një hetimi përmes aplikimit të masave të fshehta të hetimit dhe dyshohen për veprën penale “Fajdeja”.
Gjatë operacionit, njëri prej të dyshuarve kishte tentuar t’i ikte arrestimit me automjet. Gjatë ikjes, ai ka goditur një 17-vjeçare, e cila ka pësuar lëndime, por është jashtë rrezikut për jetë.
Po gjatë arratisjes, i dyshuari ka goditur edhe një zyrtar policor – hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore.
I dyshuari është ndaluar dhe arrestuar nga zyrtarët policorë, ndërsa gjatë arrestimit janë gjetur edhe para të dyshuara se janë dhënë për qëllime të simulimit, të cilat janë sekuestruar për hetime të mëtejshme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.