Një rast vjedhjeje që dyshohet se kishte ndodhur rreth dy muaj më parë është zbardhur në fshatin Ribar i Vogël të Lipjanit, ku nga një pronë ishin marrë kabllo rryme, pjesë sanitare, agregate dhe klima.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 11 tetor, rreth orës 09:10, Policia është njoftuar për rastin dhe njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Pronari, N. J, ka deklaruar se rreth dy muaj më parë nga prona e tij ishin zhdukur disa kabllo rryme, pjesë sanitare, agregate dhe klima.
Pas veprimeve operative, Policia ka arritur ta identifikojë dhe ndalojë Arben Jashanicën, po ashtu nga fshati Ribar i Vogël.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe, sipas informatave të rastit, gjatë intervistimit ka pranuar se kishte vjedhur disa kabllo.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit po vazhdojnë.