Një kontroll policor në një banesë në Prizren, i zhvilluar fillimisht në kuadër të një rasti për dëmtim prone, ka çuar edhe në gjetjen e një sasie të dyshuar të marihuanës.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është zhvilluar më 20 shtator, rreth orës 22:20, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, patrulla policore, së bashku me hetuesit dhe krimteknikët, kanë kryer kontroll në banesën e Ramazan Dogan, 32-vjeçar, lidhur me një rast për “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Gjatë kontrollit, në prani të dy dëshmitarëve, është gjetur dhe sekuestruar një qese plastike me 4.31 gramë substancë të dyshuar si marihuanë.

Pas gjetjes së substancës, për rastin është njoftuar edhe Njësia e DHTN-së në Prizren, e cila ka marrë në trajtim pjesën që lidhet me narkotikët.

I dyshuari është intervistuar, ndërsa substanca është sekuestruar si provë materiale.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm, i cili ka udhëzuar që Dogan të lirohet në procedurë të rregullt.

Hetimet për rastin e narkotikëve po vazhdojnë nga DHTN – Njësia në Prizren.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.