Një kontroll rutinor i Policisë në Skenderaj ka çuar në zbulimin e një sasie të substancës së dyshuar narkotike, ndërsa një 23-vjeçar është proceduar si i dyshuar, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Endrit Shaqirin, 23 vjeçar, i cili po hetohet për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Rasti është zbuluar më 3 shtator, rreth orës 19:40, në rrugën “Ali Gashi” në Skenderaj.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pjesëtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, gjatë një pike kontrolli, kanë ndaluar një veturë të tipit Ford Escort, në të cilën ndodheshin tre persona – shoferi dhe dy pasagjerë.
Gjatë kontrollit është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike, e cila pas peshimit ka rezultuar të jetë rreth 7 gramë hashash.
Pas zbulimit të drogës, në vendin e ngjarjes është angazhuar edhe patrulla policore, ndërsa Shaqiri është shoqëruar në Stacionin Policor bashkë me dy personat e tjerë, të cilët janë trajtuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Për rastin është njoftuar Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Skenderaj, e cila ka kontaktuar Prokurorin e Shtetit.
Në rast është përfshirë edhe Antidroga e Mitrovicës, hetuesit e së cilës pritet të ndërmarrin veprimet e mëtejshme lidhur me substancën e sekuestruar.
Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, 23-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.