Operacioni i madh ndërkombëtar kundër shpëlarjes së parave po shtrihet edhe në një prej objekteve të njohura afariste në Prishtinë. Forca të shumta të Policisë së Kosovës janë angazhuar te objekti “Arting”, në afërsi të Hotel Derand, ku operojnë edhe qendra të thirrjeve, të njohura si Call Center.
Gazeta Sinjali ka siguruar fotografi nga lokacioni, ku shihen pjesëtarë të Policisë dhe automjete policore të angazhuara në kuadër të aksionit që po zhvillohet sot, më 3 nëntor.
Objekti ndodhet në zonën e rrugës “Bekim Fehmiu”, pranë Hotel Derand, ndërsa prania policore në këtë lokacion është pjesë e operacionit më të gjerë që po zhvillohet në disa qytete të Kosovës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në aksion është angazhuar Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të hetimeve për shpëlarje të dyshuar të parave, me shtrirje ndërkombëtare.
Operacioni, sipas informacioneve që ka siguruar gazeta, po zhvillohet me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Krahas Prishtinës, veprime policore po zhvillohen edhe në Ferizaj dhe Fushë Kosovë, ndërsa operacioni është i koordinuar me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë ato në Gjermani dhe në shtete të tjera evropiane.
Në fokus edhe objektet ku operojnë Call Center-a
Prania e Policisë te objekti “Arting” merr rëndësi të veçantë për faktin se në këtë objekt funksionojnë edhe qendra të thirrjeve.
Mashtrimet financiare përmes Call Center-ave janë bërë objekt i disa hetimeve në Kosovë, përfshirë raste ku dyshohet se shtetas të huaj janë mashtruar përmes ofertave të rreme të investimit.
Megjithatë, për operacionin e sotëm mbetet ende të konfirmohet se cilat subjekte brenda objektit janë përfshirë konkretisht në kontrolle dhe nëse ndonjëra prej qendrave të thirrjeve është subjekt i hetimit.
Sipas burimeve të Sinjalit, në kuadër të bastisjeve të këtij operacioni po kërkohen telefona celularë, kompjuterë, pajisje elektronike, dokumentacion financiar, para të gatshme, ar dhe sende të tjera me vlerë, të cilat mund të shërbejnë si prova për hetimet.
Ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për numrin e personave eventualisht të arrestuar apo për sendet që mund të jenë sekuestruar në objektin “Arting”.
Operacioni vazhdon, ndërsa Gazeta Sinjali po përcjell zhvillimet në terren dhe në lokacionet e tjera ku janë angazhuar njësitë policore.