Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se është duke u zhvilluar megaaksioni policor kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në Prizren dhe Suharekë, për të cilin Sinjali raportoi ekskluzivisht më herët.
I kontaktuar nga Sinjali, Kryeziu ka bërë të ditur se aksioni është ende në zhvillim e sipër dhe se ndodhet në terren.
“Jam ne teren e nderuar, aksioni eshte ne vazhdim e siper!”, ka deklaruar Kryeziu për Gazetën Sinjali.
Siç raportoi Sinjali, operacioni është ndërmarrë pas një periudhe të gjatë hetimore, gjatë së cilës njësitë për hetimin e krimeve ekonomike kanë zhvilluar vëzhgime, kanë siguruar informacione operative dhe kanë zbatuar masa të fshehta hetimore.
Bastisjet po zhvillohen në disa lokacione në Prizren dhe Suharekë, në bazë të urdhëresave të gjykatës kompetente, me qëllim të goditjes së veprimtarisë së dyshuar ilegale të bixhozit.
Në fokus të kontrolleve janë pajisjet që dyshohet se janë përdorur për organizimin e lojërave të fatit, paratë e gatshme, telefonat celularë, pajisjet DVR dhe prova të tjera të mundshme materiale e elektronike.
Përmes këtyre veprimeve, hetuesit synojnë të dokumentojnë mënyrën e funksionimit të veprimtarisë së dyshuar dhe të identifikojnë personat e përfshirë.
Deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara për numrin e lokacioneve të kontrolluara, personat e arrestuar apo sendet e sekuestruara.
Gazeta Sinjali do të përcjellë zhvillimet e aksionit dhe do të raportojë për rezultatet e tij sapo të ketë informacione të reja.