Një grua është bërë cak i një grabitjeje në mes të ditës në Fushë Kosovë, ku një person e ka kapur për fyti te ashensori i objektit ku banon dhe ia ka marrë me forcë zinxhirin nga qafa.
Sinjali mëson ekskluzivisht se personi i arrestuar në lidhje me rastin është Fatun Kovaci, 33-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 18 gusht, rreth orës 15:50, në rrugën “Besa Besë”, në objektin banesor “Efro Luki 2”.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, viktima, një grua 62-vjeçare, po hynte në banesën e saj dhe ndodhej te ashensori kur një person i panjohur i është afruar nga prapa.
I dyshuari dyshohet se ka vendosur këmbën te dera e ashensorit për të mos e lejuar të mbyllet dhe më pas e ka kapur gruan për fyti, duke ia marrë zinxhirin që mbante në qafë.
Pas grabitjes, ai është larguar me vrap nga objekti dhe ka hipur në një veturë të bardhë, me të cilën është larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktima nuk ka pësuar lëndime trupore, por për shkak të shqetësimit nga ngjarja ka pranuar trajtim mjekësor.
Policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore, të cilat kanë çuar në identifikimin e një Renault-i të bardhë, që dyshohet se është përdorur në rast.
Vetura është lokalizuar më pas e braktisur në afërsi të hekurudhës, ndërsa hetuesit kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë personin që dyshohet se e kishte drejtuar atë.
Sipas burimeve të Sinjalit, bëhet fjalë për Fatun Kovacin rreth 33-vjeç, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor në Fushë Kosovë.
Pas konsultimit me Prokurorin, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe rolit të personave të përfshirë.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse fajësia e tij vërtetohet me vendim të formës së prerë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.