Një 33-vjeçar është kapur në flagrancë nga Policia, nën dyshimin se kishte hyrë në një shtëpi në rrugën “Fatbardha Gega” në Prishtinë, ku dyshohet se kishte përvetësuar gjësende me vlerë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Arianit Muja rreth 33-vjeçar, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Siç raportoi Sinjali, rasti ndodhi më 17 gusht, rreth orës 14:50, kur dy zyrtarë policorë, gjatë patrullimit, vërejtën dyert dhe dritaret e një shtëpie të hapura. Sipas informacioneve paraprake, pronarët e saj ndodheshin jashtë shtetit dhe në objekt nuk kishte banorë.
Policët kanë vërejtur një person të panjohur në katin e tretë dhe i kanë bërë thirrje që të dilte jashtë.
Me të parë Policinë, i dyshuari dyshohet se ka tentuar të largohej përmes rrethojave dhe ballkoneve të shtëpisë.
Dy zyrtarët policorë i janë vënë pas, duke arritur deri në katin e tretë përmes ballkoneve, ku e kanë kapur Mujën në flagrancë.
Sipas të dhënave të rastit, në atë moment ai dyshohet se tashmë kishte përvetësuar gjësende me vlerë nga shtëpia.
I dyshuari është shoqëruar në stacion dhe është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, Arianit Muja është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.