Sinjali raportoi për arrestimin e një personi në pikën kufitare në Jarinjë, i cili rezultoi se ishte në kërkim nën dyshimet për “Falsifikim të dokumenteve”.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Ismet Latif Salkoviq rreth 41-vjeçar, i lindur në fshatin Rvatska të Leposaviqit dhe me vendbanim në Novi Pazar. Sipas të dhënave të rastit, ai posedon shtetësi të Kosovës dhe të Serbisë.

Salkoviq është ndaluar më 17 gusht, rreth orës 12:20, teksa po hynte në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinjë. Gjatë verifikimit, ai ka rezultuar në “stop-listë”, pasi ishte në kërkim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Por arrestimi në kufi ka çuar hetuesit edhe në shtëpinë e tij në fshatin Rvatska.

Pas njoftimit të Prokurorit kujdestar, është autorizuar kontrolli i shtëpisë, ku Policia ka gjetur dhe sekuestruar 45 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pjesë të uniformës së Policisë së Kosovës.

Në kuadër të rastit është sekuestruar edhe telefoni personal i të dyshuarit, ndërsa me municionin dhe pjesët e uniformës po merren njësitet policore kompetente në Leposaviq.

41-vjeçari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

Hetimet për rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.