Sinjali ka siguruar identitetin e personit të dyshuar për të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e 18 shtatorit në rrugën “Luan Haradinaj” në Junik.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Sherif Pepshin, 42-vjeçar, i cili është hasur nga Policia pasi në linjën 192 ishte raportuar për të shtëna me armë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Pepshi ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri, ndërsa në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar tetë gëzhoja.
Atij i është sekuestruar edhe një pistoletë TT M57, kalibër 7.62 mm, një karikator dhe 52 fishekë të të njëjtit kalibër.
42-vjeçari është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa ndaj tij janë iniciuar rastet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.