Sinjali ka mësuar identitetin e personit të ndaluar në Prishtinë, pas denoncimit të ish-partneres së tij, e cila ka deklaruar në Polici se pas një periudhe presioni përmes telefonatave dhe mesazheve, ai dyshohet se e ka kërcënuar edhe me vrasje.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Blerim Gela, rreth 56-vjeçar, ndërsa rasti është iniciuar më 20 gusht për veprën penale “Kanosja”.
Denoncimi është bërë nga H. R., rreth 40-vjeçare, e cila para hetuesve ka deklaruar se me Gelën kishte qenë në lidhje dhe se kishin bashkëjetuar për rreth nëntë deri në dhjetë muaj.
Sipas deklarimit të saj, pas problemeve në raportin mes tyre, 56-vjeçari dyshohet se kishte vazhduar ta kontaktonte përmes telefonatave dhe mesazheve.
40-vjeçarja ka pretenduar se këto kontakte i kishin shkaktuar presion të vazhdueshëm psikik, ndërsa situata, sipas saj, kishte kulmuar gjatë një bisede telefonike.
Pikërisht gjatë asaj telefonate, H.R. ka deklaruar se Gela e kishte kanosur se do ta vriste.
Pas denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa Gela është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit mbrojtës.
Për rastin është konsultuar Prokurorja , e cila ka udhëzuar që rasti të iniciohet për “Kanosje” dhe që i dyshuari të dërgohet në mbajtje.
Rrethanat e denoncimit dhe komunikimet mes palëve pritet të jenë pjesë e hetimeve të mëtejshme, ndërsa pretendimet ndaj të dyshuarit mbeten për t’u vërtetuar në procedurë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.