Një ndalesë e zakonshme në trafik për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes i ka kushtuar shumë më tepër sesa një gjobë një 66-vjeçari në Prishtinë. Pas verifikimit të të dhënave, Policia ka zbuluar se ai kërkohej me urdhër-arrest dhe duhej të vuante 250 ditë burg, raporton ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Agim Jeminin, rreth 66-vjeçar, i cili është ndaluar mbrëmjen e 24 gushtit gjatë patrullimit të Policisë në segmentin Bresje–Veternik.

Gjithçka nisi rreth orës 19:50, kur policët kanë vërejtur një Volkswagen Golf, shoferi i të cilit po përdorte telefonin gjatë vozitjes.

Patrulla e ka ndaluar veturën, por ajo që dukej si një kontroll rutinor për kundërvajtje në trafik mori shpejt një tjetër drejtim.

Gjatë verifikimit të të dhënave të shoferit, policëve u ka rezultuar se ndaj Jeminit ishte aktiv një urdhër-arrest i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, urdhër-arresti lidhej me ekzekutimin e një dënimi në kohëzgjatje prej 250 ditësh.

Kështu, përdorimi i telefonit në timon që çoi në ndalimin e tij nga patrulla, përfundimisht ia nxori në pah edhe telashet me drejtësinë.

66-vjeçari është arrestuar dhe nuk e ka vazhduar më rrugën me veturën e tij.

Ai është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, për ekzekutimin e urdhëresës së gjykatës.

Nga një telefon në timon te 250 ditë pas grilave – një kontroll rutinor i Policisë ishte i mjaftueshëm që kërkimi për Jeminin të merrte fund.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.