Një rast i rëndë i shantazhit dhe ngacmimit ndaj një të miture është zbuluar pas një operacioni policor të realizuar në rajonin e Prizrenit, ku i dyshuari është kapur në flagrancë duke pranuar para nga viktima, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Skender Qengaj, rreth 43-vjeçar i cili është arrestuar sot, më 13 gusht, në kuadër të zbatimit të masave të veçanta hetimore të autorizuara nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Viktimë e rastit është një e mitur, S.A., rreth 17-vjeçare, identiteti i së cilës, për shkak të moshës dhe natyrës së rastit, nuk bëhet publik.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti dyshohet se ka nisur që në qershor të vitit 2025 dhe ka vazhduar për një periudhë të gjatë. Qengaj dyshohet se e ka shantazhuar të miturën duke i kërkuar vazhdimisht para dhe duke e kërcënuar se, në të kundërtën, do t’ia zbulonte familjes dhe rrethit të saj shoqëror fotografi dhe informacione nga jeta private.

Në këtë mënyrë, sipas dyshimeve të deritanishme, ai dyshohet se ka arritur të përfitojë një shumë të konsiderueshme parash nga viktima.

Përveç shantazhit, i dyshuari dyshohet se e ka ngacmuar dhe frikësuar vazhdimisht përmes rrjeteve sociale, duke ushtruar presion dhe duke i shkaktuar shqetësim emocional.

E mitura e ka denoncuar rastin në Polici më 6 gusht, ndërsa hetimet kanë çuar në organizimin e një operacioni më 13 gusht.

Në kuadër të masave të veçanta hetimore, Qengaj është arrestuar në flagrancë teksa dyshohet se po pranonte para nga e dëmtuara.

Operacioni ka vazhduar me kontrollin e shtëpisë së tij, ku Policia ka gjetur dhe sekuestruar 21 mijë e 100 euro.

Në këtë fazë nuk është përcaktuar prejardhja e parave të sekuestruara dhe hetimet pritet të sqarojnë nëse ato lidhen me veprat penale për të cilat po hetohet i dyshuari.

Qengaj është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren, është ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.