Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh të ngarkuar me operacione policore, arrestime për krime lufte, armë e municion të sekuestruar, raste të dhunshme dhe realizim urdhërarrestesh.

Ngjarja kryesore ishte operacioni “Dosja 23” në Zubin Potok, ku nëntë persona u arrestuan nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile.

Por gjatë ditës pati edhe disa raste të tjera që kërkuan ndërhyrjen e Policisë dhe Prokurorisë.

Sinjali ju sjell përmbledhjen e 24 orëve të fundit.

“Dosja 23” – 9 të arrestuar për krime lufte

Operacioni i koduar “Dosja 23” është zhvilluar në Zubin Potok në lidhje me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Nëntë persona janë arrestuar nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, ndërsa pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë.

Operacioni është zhvilluar në 12 lokacione, ndërsa gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar armë, telefona mobilë, libreza ushtarake, municion dhe para të gatshme.

Sipas informacioneve të Sinjalit, hetimet lidhen me ngjarjet e 19 prillit 1999 në Mala Kalludra të Zubin Potokut, ku viktima figurojnë 23 civilë shqiptarë.

Shipovë – AK-47, 343 fishekë dhe uniforma ushtarake

Në një shtëpi të pabanuar në Shipovë të Zubin Potokut janë gjetur një AK-47 me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë, një pushkë M-48 me 186 fishekë, bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe dhe pajisje të tjera.

Deri më tani nuk është identifikuar personi që mund t’i ketë pasur në posedim.

Leposaviq – tri armë dhe 139 fishekë në një shtallë

Në fshatin Dren të Leposaviqit janë gjetur tri armë dhe 139 fishekë të kalibrave të ndryshëm në një shtallë.

Pronari i objektit ka pranuar se shtalla është e tij, por ka mohuar se armët dhe municioni i përkasin atij.

Ai është ndaluar për 48 orë.

Lipjan – vëllai sulmohet me kaçavidë

Në fshatin Rusinovc të Lipjanit, një mosmarrëveshje familjare ka përfunduar në një rast që po hetohet si vrasje e rëndë në tentativë.

Një burrë dyshohet se ka sulmuar vëllain e tij me kaçavidë në fyt, gjoks dhe krah.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Korishë – 200 fishekë gjenden në kulmin e shtëpisë

Një kontest pronësor mes dy vëllezërve në Korishë të Prizrenit ka çuar në raportim për kanosje dhe më pas në bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit.

Në kulmin e shtëpisë janë gjetur 200 fishekë për armë të gjatë.

I dyshuari është ndaluar, ndërsa rasti po hetohet për kanosje dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Kamenicë – raportohet person me armë të gjatë, kontrollohet shtëpia

Në Kamenicë, një informacion për një person që po lëvizte me armë të gjatë pranë lumit ka aktivizuar Policinë.

Personi nuk është hasur në vendin e raportuar, por gjatë kontrollit të shtëpisë së tij janë gjetur një pushkë pneumatike, dy pistoleta pneumatike dhe municion.

Aeroporti “Adem Jashari” – kapet 20-vjeçari me urdhërarrest

Një 20-vjeçar është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” pasi ndaj tij kishte urdhërarrest aktiv.

Për shkak të mospagimit të një gjobe të lidhur me posedim të paautorizuar të armëve, dënimi i ishte shndërruar në 10 ditë burgim.

Prishtinë – gazetari raporton se u sulmua gjatë protestës

Gazetari Bunjamin Kurti ka raportuar se është sulmuar gjatë një proteste në Sheshin “Skënderbe”.

Sipas deklarimit të tij, një person i panjohur e ka goditur në gjoks dhe ka tentuar ta godasë edhe në kokë.

Rasti është iniciuar si “Sulm”.

Krime lufte. Armë. Municion. Tentim-vrasje. Kanosje. Arrestime.

Kjo ishte fotografia e 24 orëve të fundit.

SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.