Një sasi e konsiderueshme armësh, municioni dhe pajisjesh ushtarake është gjetur mëngjesin e së dielës në një shtëpi të pabanuar në fshatin Shipovë të Zubin Potokut.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 09:00, gjatë një bastisjeje të realizuar nga njësia speciale rajonale, janë gjetur dhe konfiskuar armë, municion dhe pajisje ushtarake.

Në mesin e tyre është sekuestruar një pushkë automatike AK-47 e prodhimit jugosllav, me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë, si dhe një pushkë gjuetie M-48, po ashtu e prodhimit jugosllav, me 186 fishekë për armë të gjatë.

Gjatë kontrollit janë gjetur edhe një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, shtëpia ku janë gjetur armët ishte e pabanuar dhe deri më tani nuk është identifikuar personi që mund të ketë pasur në posedim arsenalin.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ndaj personit të panjohur.

Hetimet për të përcaktuar pronësinë e armëve dhe rrethanat se si kanë përfunduar në këtë lokacion po vazhdojnë.