Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë ekskluzivisht për incidentin në parkingun e Prishtina Mall, ku kapiteni i Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, dyshohet se ishte sulmuar nga dy persona në prani të bashkëshortes dhe dy fëmijëve.

Rasti mori një tjetër drejtim pas shoqërimit të personave të përfshirë në Stacionin Policor në Graçanicë, ku njëri prej të dyshuarve pretendon se është keqtrajtuar nga një zyrtar policor.

Sinjali ka raportuar dje ekskluzivisht se polici i cili dyshohet se ka keqtrajtuar njërin nga të dyshuarit për këtë është Edon Mexhuani, pjesëtar i Njësisë për Reagim të Shpejtë, i cili është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi për Sinjalin se ndaj personit me inicialet E.M. është iniciuar rast nën dyshimin për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, bëri të ditur se në lidhje me gjithë incidentin janë nën hetim tre persona.

Sipas saj, personi me inicialet B.A. dyshohet për “Kanosje”, E.M. për “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ndërsa A.A. për “Sulm”.

“Prokurori i Shtetit po ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi Shala për Sinjalin.

Sipas burimeve të Sinjalit, A.A. është Adonis Aliu, njëri nga dy personat që dyshohen se sulmuan kapitenin Ahmeti. Të dy të dyshuarit janë djemtë e zyrtarit policor Reshat Aliu.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të incidentit dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit person të përfshirë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.