Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se major Mirsad Kelmendi është emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.
Emërimi i tij vjen një ditë pasi janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, në mesin e tyre edhe drejtori rajonal Agron Hasanaj, si dhe zyrtarë të tjerë të niveleve drejtuese në Policinë e Pejës.
Suspendimet janë bërë pas veprimeve hetimore dhe verifikuese të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt dhe mënyrën se si institucionet kishin vepruar pas raportimeve të saj përpara se të vritej.
Në mesin e zyrtarëve të suspenduar janë drejtori rajonal Agron Hasanaj, majori Ndue Nikolla, kapiteni Faik Jahmurataj, zëvendëskomandanti Dervish Hasanaj, komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, Sami Lekaj, si dhe shefi i Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, Faruk Muqolli.
Përveç tyre, janë suspenduar edhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë dhe masa mbrojtëse nga institucionet vetëm disa ditë para se të vritej. Gazeta Sinjali kishte raportuar për dokumentin e datës 22 tetor, përmes të cilit ajo kishte kërkuar masa urgjente mbrojtëse nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Ndërkohë, lidhur me trajtimin e rastit janë ndërmarrë veprime edhe në sistemin prokurorial, ku Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur suspendimin e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe koordinatores për dhunë në familje, Arlinda Nallbani Gacaferri.