Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”.
Marshi do të mbahet katër ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të mbahet seanca përmbyllëse e procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, prezantuan aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe do ta pasojnë Marshin për Liri.
Hoxha tha se për gjashtë vjet, platforma së bashku me qytetarët ka kërkuar një gjykim të drejtë për ish-krerët e UÇK-së.
Ajo theksoi se platforma do të vazhdojë të shprehë mbështetjen për ta, pa paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe pa ndërhyrë në procesin gjyqësor.
“Ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre, jo duke paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe jo duke ndërhyrë në procesin gjyqësor, por duke e bërë të dëgjueshëm zërin qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt ndaj historisë sonë”, tha Hoxha.
Ajo njoftoi se aktivitetet nisin nga nesër me numërimin mbrapsht deri më 16 shtator, i cili do të vendoset në Prishtinë dhe do të shtrihet edhe në komunat e tjera të Kosovës.
Sipas Hoxhës, numërimi do të tregojë kohën e mbetur deri në seancën e pritshme të 16 shtatorit.
“Çdo orë që kalon do të na kujtojë se Kosova po pret. Pret drejtësi. Pret dinjitet. Pret çlirimtarët të kthehen në shtëpinë e vet”, deklaroi ajo.
Aktiviteti i dytë, i titulluar “Netët e Lirisë”, do të organizohet në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas organizatorëve, këto aktivitete do t’i kushtohen kujtesës, rrëfimit dhe bashkimit të brezave rreth historisë dhe sakrificave për liri.
Ndërkohë, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje të gjitha partive politike shqiptare dhe liderëve të katër partive më të mëdha në Kosovë që t’i bashkohen Marshit për Liri.
Ai përmendi kryeministrin në detyrë Albin Kurti, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së Ardian Gjini.
“I ftojmë këta të jenë të pranishëm dhe të kenë adresimin e tyre publik në Marshin për Liri. Jo për të bërë fushatë, jo për të ngritur flamuj partiakë, por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”, tha Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar gjithashtu një aktivitet në Hagë më 16 shtator, në bashkëpunim me diasporën shqiptare.
“Kur vëmendja do të jetë e përqendruar në Hagë, ‘Liria ka Emër’ do të organizojë aktivitet edhe në Hagë, së bashku me diasporën shqiptare. Nga Kosova deri në Hagë, mesazhi ynë do të jetë i njëjtë: KOSOVA PO PRET”, tha Tasholli.