Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se para se të marrë qëndrim për nismën për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara, pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, LVV ka theksuar se kërkesa e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese nuk është tërhequr dhe se fillimisht duhet të pritet vendimi i saj, për të vlerësuar më pas implikimet juridike që mund të dalin.

“Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij”, thuhet në përgjigjen e LVV-së.

Sa i përket propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, Vetëvendosje ka deklaruar se iniciativa do të shqyrtohet nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë e saj me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që mund të ketë një ndërhyrje e tillë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara.

Partia ka theksuar gjithashtu se procedurat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes dhe se çdo iniciativë duhet të vlerësohet edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast.

“Vlerësojmë se në këtë fazë është më e rëndësishme të ndërtohet një qasje institucionale dhe shtetërore e koordinuar, e mbështetur në analizë të plotë juridike”, ka deklaruar LVV.

Sipas Vetëvendosjes, çdo veprim institucional duhet të ndërmerret vetëm pasi të jenë analizuar pasojat e mundshme juridike, veçanërisht në raport me procedurën e apelit.

“Qëllimi duhet të jetë që veprimet institucionale të jenë të menduara, të bashkërenduara dhe të mos krijojnë pasoja të padëshiruara për proceset gjyqësore në zhvillim”, thuhet në përgjigjen e LVV-së.