Një rast i posedimit të paautorizuar të substancave narkotike është zbuluar mbrëmjen e 7 tetorit në rrugën “Hakif Zejnullahu” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 22:00, një njësi policore ka ndaluar një veturë të tipit Volkswagen, në të cilën ndodheshin tre persona.
Gjatë kontrollit, te Muhamet Podrimaj është gjetur një sasi e dyshuar marihuane me peshë rreth 0.59 gramë.
Ndërsa te Rozafa Haxhiu është gjetur një sasi e dyshuar kokaine me peshë rreth 0.27 gramë, si dhe një kokërr me ngjyrë të verdhë, e cila dyshohet se është substancë narkotike.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në hapësirën ku po qëndronte personi i tretë, rreth një metër larg veturës, janë gjetur edhe një qese me rreth 3.19 gramë marihuanë dhe rreth 1 gram substancë të dyshuar kokainë.
Substancat e dyshuara janë sekuestruar nga Policia, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë relevante për procedurat e mëtejshme.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.
Dy personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.