Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar më 7 tetor në rrugën “Serdara Janka Vukotica” në Mitrovicë të Veriut, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë marrë gjësende me vlerë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 15:20, pronari i shtëpisë, D. T, ka njoftuar Policinë pasi ka vërejtur se dera hyrëse e shtëpisë ishte thyer.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese dhe hetuesit, të cilët kanë kryer këqyrjen e vendit, ndërsa pronari është intervistuar lidhur me rastin.
Sipas deklarimit të tij, nga shtëpia janë vjedhur dy ora dore, një valixhe me parfume dhe një monedhë, me vlerë të përgjithshme të deklaruar prej rreth 700 eurosh.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Personi apo personat e dyshuar ende nuk janë identifikuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.