Një rast shqetësues është raportuar në Gjakovë, ku një burrë dyshohet se ka shpërfillur urdhrin e mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata, duke shkuar në vendin e punës së bashkëshortes, ndonëse kishte të ndaluar t’i afrohej në distancë më të vogël se 50 metra.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari ka rezultuar me plot 3.35 promilë alkool në organizëm, ndërsa pas denoncimit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Ngjarja ka ndodhur më 19 tetor 2026, rreth orës 16:00, në rrugën “Petro Nini Luarasi” në Gjakovë.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, viktima A.M., rreth 46-vjeçar, ka raportuar në Polici se bashkëshorti i saj, V.M., rreth 50-vjeçat, nuk e kishte respektuar urdhrin e mbrojtjes që e obligonte të qëndronte së paku 50 metra larg saj.
Pavarësisht këtij kufizimi, i dyshuari kishte shkuar në zyrën ku ajo punonte dhe, sipas deklarimit të viktimës, e kishte shqetësuar.
Pas denoncimit, Policia ka arrestuar të dyshuarin, tek i cili është vërejtur kundërmimi i alkoolit.
Alkooltesti ka treguar rezultat prej 3.35‰, një nivel jashtëzakonisht të lartë të alkoolit në organizëm.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendim të të cilit ndaj të dyshuarit është caktuar ndalimi deri në 48 orë.
Rasti është iniciuar si “Mospërfillje e Gjykatës”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për dokumentimin e shkeljes së dyshuar të urdhrit të mbrojtjes.