Ka përfunduar tragjikisht rasti i rëndë i raportuar të dielën mbrëma në Ferizaj, ku një 68-vjeçar kishte pësuar djegie të rënda në rrethana që po hetoheshin si tentim vetëvrasjeje.

Burimet e Sinjalit konfirmojnë se Ragip Sopa, rreth 68-vjeçari ka ndërruar jetë më 19 tetor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte transferuar për trajtim mjekësor pas incidentit.

Ngjarja kishte ndodhur më 18 tetor, rreth orës 20:10, në rrugën “Mehmet Begraca” në Ferizaj.

Sipas informacioneve të raportuara më herët, familjarët kishin dëgjuar britma në oborrin e shtëpisë dhe, pasi kishin dalë jashtë, e kishin gjetur 68-vjeçarin të përfshirë nga flakët.

Ata kishin ndërhyrë menjëherë për ta shuar zjarrin dhe kishin njoftuar ekipet emergjente, të cilat i kishin ofruar ndihmën e parë.

Sopa ishte dërguar fillimisht në Emergjencën e Ferizajt, ndërsa për shkak të lëndimeve të rënda ishte transferuar në QKUK, ku, fatkeqësisht, nuk arriti të mbijetonte.

Pas konfirmimit të vdekjes, hetuesit rajonalë të Ferizajt kanë njoftuar Prokurorin e Shtetit.

Me autorizim të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, me qëllim të sqarimit të plotë të shkakut të vdekjes.

Rasti, i cili fillimisht ishte evidentuar si “Tentim vetëvrasjeje”, po trajtohet më tej nga hetuesit rajonalë të Ferizajt.

Hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë.